Schreibe einen Kommentar

Histori refugjati

Në mëngjesin e 27 marsit të vitit 1999 isha një vajzë 5 vjeçare, pa shumë njohuri atë botë se pse gjithçka dukej aq e zbehtë e pse babi gjithmonë më thoshte se nuk mund të shkoja me të në qytet siç shkoja dikur kur isha më e vogël. Atë mëngjes ishim të gjithë zgjuar duke u bërë gati për festën e Bajramit e cila gjithmonë sillte gëzime hare në shtëpinë tonë. Por ja që atë mëngjes diçka nuk shkonte, dhe unë mund ta ndjeja. Axhi erdhi me vrap në shtëpi për të treguar se duhej të largoheshim sa më shpejtë nga aty. Kishim marr një ultimatum të gjithë në rrethinë, se nëse nuk do largoheshim deri në ora 7 të mbrëmjes të gjithëve na priste vdekja.

Ishte gjendje lufte, dhe saktësisht ishte tre ditë pasi që kishim dëgjuar fluturaket e huaja të bombardonin vendin fqinjë. Në panikë e të alarmuar të gjithë vrapuam për të marr së paku rroba për të veshur e të dilnim sa më shpejt nga aty. Duke vrapuar poshtë shtëpisë më kujtohet të kem parë një grua për të cilën mami më tha se një ditë do të ishte mësuesja ime. Pos saj kishte plot njerëz të tjerë të cilët vraponin në eufori pa ditur saktë se ku ishte destinacioni i tyre. Më kujtohet që atë natë u vendosëm në shtëpi të familja e mamit e cila jetonte në një fshat afër maleve të cilat ishin në kufi me Malin eZi. Në shtëpinë ku u vendosëm ishim më shumë se 50 njerëz,të gjithë familjarë. Në mungesë të hapësirës na duhej të flinim më shumë se nga 6-7 persona në një dhomë, përderisa në dhomën më të madhe të shtëpise flinin më shumë se 20 persona. Daja im, axhi dhe një i ri tjetër ishin pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtaretë Kosovës atë kohë dhe cdo ditë do të ktheheshin në shtëpi për të na treguar për tragjeditë që po ndodhnin përreth nesh. Çdo ditë që kalonte bëhej më e rrezikshme për ne të qëndronim aty. Pas dy javësh në atë shtëpi na u desh të mblidhnim plaçkat tona e të merrnim rrugën e shpëtimit. U strehuam në një kamp në male për 2 ditë. Aty pashë shumë njerëz të cilët, njëtë sikur ne, kishin lënë shtëpitë e tyre pa ditur nëse një ditë do ktheheshin prapë. Pas dy ditëve aty,u desh të largoheshim pasi që ushtria armike siç dukej kishte hyrë në zonën përreth nesh dhe nuk po linin njeri të ecte i gjallë e shtëpi pa djegur. Nuk mundëm të mirrnim të gjitha gjërat tona se kishim për të ecur rrugë të vështira, kështu që s’kishim gjë tjetër pos rrobave në trup dhe pak ushqim në xhepat tonë. Dy orë pasi u larguam, mbërrimë në një kodër për të parë zjarr nga kampi ku kishim qëndruar më herët. Kjo ishte një shenjë që ne duhej të shpejtonim hapat tonë sado që fuqi nuk ishte që kishim shumë. Natën na u desh të strehoheshim në një shtëpi mali në bjeshkë e cila nuk do i zinte asnjëherë të gjithë ata njerëz të cilëtveç gjumë në sy nuk kishin. Më kujtohet që mami dhe babi e siguruan një krevat për mua dhe motrën e që vet dolën jashtë duke provuar të mbanin zjarrin ndezur në mënyrë që të ngrohin duartë e tyre. Ishte ende dimër dhe atje lartë në male bënte shumë ftohtë. Më kujtohet të kisha humbur njërën nga dorëzat e mia e të kisha qarë gjatë për të. Në mëngjes morrëm rrugën e cila dukej se nuk  do të mbaronte asnjëherë. Gjithandej kishte borë e sytë nuk shihnin mirë nga reflektimi i dritës në shtratin e të bardhës borë, ama mund të shihej një rresht për një i njerëzve. Rreshtit nuk i shihej as fundi e as fillimi. Më kujtohet si në mjegull se shumë njerëz nuk i mbijetuan dot lodhjes e të ftohtit duke mbetur kështu rrugës pa jetë. Më kujtohet të kem dëgjuar shumë të qara e ofshama prej njerëzve që tashmë kishin humbur shpresën. Kishte aq shumë kodra në ato male sa që tashmë dukeshin se ishin me qindra. Unë do e pyesja babin gjithmonë se edhe sa kodra kanë mbet, eai gjithmonë do më përgjigjej: vetëm edhe një e mbërrijmë. Ajo përgjigje mbante në këmbë trupin tim të vogël. Pas dy ditësh ecjeje dolëm në një rrugë ku do na mirrte një kamion dhe do na dërgonte në një kamp. Aty ishin vendosur 2 ose 3 tenda të mëdha ku ishin vendosur me qindra njerëz. Aty qëndruam për dy ditë derisa morrëm autobusin për në qytetin e Ulqinit në Mal të Zi. Me të mbërritur atje gjetëm një dhomë për tu strehuar. Ishte një dhomë e vogël gjumi ku gjum bëmë 11 persona. Në atë dhomë qëndruam për një muaj deri sa u vendosëm në një kamp refugjatësh që ishte ndërtuar pikërisht për njerëzit tanë. Aty ishin të vendosura tenda, dhe mirrnim çdo ditë sasi të caktuara të ushqimit. Takuam plot njerëz nga anë të ndryshme të Kosovës së vogël. Shumë kishin humbur të afërmit, shumë të tjerë kishin pësuar vetë. Për shumë, ai kamp ishte shpëtim. Më kujtohet të kem festuar ditëlindjen time të gjashtë atje,bile të kem marr një arush për dhuratë. Aty kishte edhe një dhomë e cila ishte dizajnuar të dukej si nje shkollë për ne fëmijët. Kur isha 4 vjeçe mbaj mend të kisha mësuar të shkruaja paksa, por se kur provova ta bëja të njëtën gjë atje,dukej se kisha harruar.

Pas pak më shumë se tre muaj, ne morrëm rrugën për t’u kthyer në shtëpi. Ah sa ditë e lumtur, ende ndjej gëzim kur e kujtoj. Dita kur hapëm dyertë e shtëpisë që kishte qenë e mbyllur që një kohë ishte më e lumtura dhe më e hidhura njëkohësisht. Asgjë nuk dukej e njëjtë më.Edhe bari ishte zbehur dhe nuk kishte më ngjyrën jeshile që mbaja mend nga vera e kaluar. Por ishim në shtëpi, aty ku sa herë kishim menduar se s’do ktheheshim kurrë. Rindërtuam çdo gjë për të mos mbetur  asnjë shenjë lufte në atë oborr.

„Mësova të jem falenderuese e mësova që asnjë njeri nuk meriton të kaloj nëpër ato çka kishin kaluar njerëzit tanë. Mësova të rritem në kohë paqeje për të urryer luftën.“

Fillova shkollën në shtator. Qesha kur pashë në klasë atë gruan që një ditë mami më pat thënë se do ishte mësuesja ime e që unë nuk i kisha besuar fort. Mësova të shkruaj e të lexoj, kështu duke mësuar më shumë se pse kisha kaluar ato ditë si femijë e duke shkruar të gjitha përjetimet e mia në copëza letre. Mësova se shumë moshatar të mij nuk kishin pasur fatin tim, mësova se jo çdo familje arriti të rindërtoj ashtu siç ne bëmë. Mësova të jem falenderuese e mësova që asnjë njeri nuk meriton të kaloj nëpër ato çka kishin kaluar njerëzit tanë. Mësova të rritem në kohë paqeje për të urryer luftën.

Sot, unë jam ai fëmija sirian i mbytur në det. Sot unë ndjej zemrën e tij që ka ndal së rrahuri kur rruga e shpresës mbylli dyertë për të. Sot unë jam lapsi që ai nuk do mund ta kap asnjëherë e të shkruaj për përjetesën e tij. Sot unë jam sytë e tij që s’do mund të shohin asnjeherë botën duke qenë një. Sot të gjithë duhet të jemi secili refugjat që kalon ferrin në kërkim të parajsës për të gjetur njerëzimin. Sot të gjithë duhet të hapim zemrën e të shtrijmë dorën të cilën një ditë na e ka kapur dikush.

Shkroi Krenare

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert.